Pritshmëritë e profesionit
Do të punoni kryesisht në zyrë dhe me një kod veshjeje të përcaktuar, (kjo lloj pune kërkon një veshje konservatore: këmishë, kostum zyrtar dhe këpucë serioze për meshkuj, ndërsa për femra kryesisht fund serioz, këpucë me pak takë dhe këmishë).
Vetëpunësimi ose puna e pavarur ndonjëherë është opsion, por vetëm pasi të keni fituar eksperiencën dhe përvojën e duhur në vite. Zakonisht kjo punë konsiston në rekomandime, kështu që para se të ndërmerrni hapin duhet të keni ndërtuar disa kontakte dhe një reputacion të mirë.
Tirana është qendra më e madhe financiare dhe ekonomike në vend dhe si e tillë të ofron mundësi të shumta në këtë fushë, por postet e ekonomistit ju vihen në dispozicion edhe në qytete të tjera të vendit.
Mundësitë për të punuar jashtë shtetit përfshijnë edhe postet në shërbimet diplomatike.
Puna mund të jetë shumë stresuese në disa periudha, pasi do ju duhet që në një afat të shkurtër të përfundoni disa projekte.
Nuk do të jenë të pakta rastet kur do ju duhet të udhëtoni jashtë vendit për të takuar klientë ose kolegë në të mirë të biznesit tuaj. Në këto udhëtime përfshihen edhe konferencat ose trajnimet brenda dhe jashtë vendit, të cilat janë shumë të zakonshme.
Oraret e punës
Orët e punës zakonisht janë stabël, pra nga ora 09:00 deri në 17:00, nga e hëna në të premte. Duhet ta dini që nuk përjashtohen kurrsesi as orët e zgjatura pas pune kur ngarkesa mund të jetë e madhe dhe afati për ta përfunduar është i shkurtër. Megjithatë orët jashtë orarit zyrtar paguhen më shumë, kështu që në shumicën e rasteve mund t'ia vlejë sakrifica.
Të punuarit me kohë të pjesshme, ose me orë fleksible është gjithashtu diçka e mundur, veçanërisht kur jeni duke punuar në shërbimet civile.
Sa mund të paguheni ?
Një nga profesionet më të vlerësuar jo vetëm në vend, po edhe jashtë është ai i ekonomistit. Nëse është një pozicion pune pa të cilin kompania nuk ecën dot përpara, ky është vendi i ekonomistit. Ai ka në dorë planin e biznesit, fitimet dhe humbjet e këtij të fundit, pra është përgjegjësi kryesor për ngritjen ose rrënimin e një kompanie, kështu që edhe vlerësimi monetar është relativisht i lartë.
Pagesa e një ekonomisti varion nga 55.000 lekë në muaj për të gjithë ata që nuk janë profesionistë, po njohin hapat e parë të karrierës, e deri në 250.000 lekë në muaj për ata që janë ekspertë të fushës.
Megjithatë paga juaj varet edhe nga madhësia dhe natyra e kompanisë në të cilën punoni.
Zhvillimi profesinal
Trajnimet e zhvilluara për ekonomistët janë në rritje dhe kjo ka gjithmonë e më shumë ndikim edhe tek punëdhënësit. Sa më shumë të keni qenë pjesë e trajnimeve, konferencave, aq më i madh është probabiliteti që punëdhënësi t'ju konsiderojë për vendin e punës, pasi ju sheh si një profesionist që kërkon më shumë dije dhe njohuri.
Ndërkohë nëse flasim për ekonomistët e rinj, atyre ju duhet që të zhvillojnë njohuritë e marra në auditorë duke i praktikuar në punë, të drejtuar sigurisht nga ekspertë të fushës.
Kohëve të fundit një mundësi shumë e mirë janë edhe kurset ose seminaret online, të cilat kanë të njëjtën peshë si konferencat ose trajnimet që i ndiqni në një ambient të caktuar.
Tipare të tilla si aftësia për të prezantuar ose shkrimi i raporteve ekonomikë, janë të zakonshme për disa punëdhënës kështu që fillojeni nga trajnimi i këtyre dy aftësive, mund t'ju bëjë më konfident dhe të aftë për një pozicion të caktuar pune.
Juve ju duhet të jeni gjithmonë duke studiuar mënyrat e reja të planifikimit ekonomik dhe jo vetëm, pasi kështu do të mund të mbani një kualifikim të nivelit të lartë. Të jesh një profesionist i kualifikuar nuk është e lehtë, por edhe e vështirë nuk mund të quhet. Nëse ju nuk keni pasur mundësinë që të zhvilloni trajnime më herët për arsye të ndryshme, sot shumë punëdhënës janë duke inkurajuar ekonomistët e tyre që të regjistrohen në kurse që ofrojnë diploma dhe certifikata të rëndësishme për të ardhmen e specialistit.
Ka raste kur janë vetë punëdhënësit që ju ndihmojnë në gjetjen e kurseve të tilla, madje duke ju ofruar edhe leje studimi. Në varësi të organizatës, ekonomistët zakonisht inkurajohen për t'u bërë pjesë e shoqatave të profesionistëve.
Si me të gjithë profesionistët, ekonomistët pritet që të jenë të motivuar për të vazhduar zhvillimin e tyre profesional, e për të qenë të informuar me zhvillimet më të fundit në fushën e ekonomisë.
Eksperienca e punës
Provoni që të bëheni pjesë e shoqërive të ndryshme industriale për të demonstruar interesin tuaj në ekonomi dhe njëkohësisht të krijoni kontaktet e duhura në profesion.
Përfitimi i përvojave të punës, veçanërisht në departamentet ekonomike, ka për të përmirësuar perspektivën tuaj të të punuarit, dhe mund t'ju ndihmojë të ngjisni shkallët e karrierës.
Karriera/Perspektiva
Zhvillimi i karrierës për ekonomistët varion nga organizata në organizatë, asnjëherë nuk janë dy ekonomistë me përgatitje profesionale të njëjtë, ndaj edhe ndahen me nivele, ku në nivelin e parë janë ekspertët e fushës dhe niveli i tretë ekonomistët e rinj.
Kryesisht janë ekonomistët e nivelit të parë ata që kanë më shumë përparësi për të aplikuar e për t'u bashkuar me programe të zhvillimit të shpejtë, të cilat ndihmojnë drejtpërdrejtë në avancimin e aftësive të tyre ekonomike, menaxheriale dhe komunikuese. Nëse ti je një profesionist i ri me aftësi shumë të mira mund të përfitosh nga këto programe, kështu që mos u dekurajo, e gjitha varet nga dëshira dhe vullneti i gjithsecilit. Madje edhe rritja në detyrë është e lidhur drejtpërdrejtë me aftësitë tuaja. Nëse ju e meritoni, shumë shpejt mund të kaloni në rolin e këshilltarit të ekonomisë, i cili aktualisht njihet si pozicioni më i lartë në këtë profesion.
Nga ana tjetër, ju keni mundësinë që ta zhvilloni vetë ekspertizën tuaj profesionale, rrjetin e kontakteve dhe shkathtësitë duke ndryshuar ndonjëherë sektorët në të cilët punoni, ose duke punuar i pavarur nga askush, kjo jo vetëm që hap mundësi të reja dhe shton CV-në tuaj, por gjithashtu mund të çojë në një rrugë më të larmishme dhe karrierë interesante.
Kush janë punëdhënësit
Ekonomistët mund të punësohen si në sektorin publik edhe në atë privat. Janë shumë shoqata në vend që ofrojnë mundësinë e praktikave për ekonomistët e rinj.
Ministritë gjithashtu janë të hapura për praktikantët, ndaj përfitoni prej tyre, pasi ju japin mundësinë që të punoni dhe mësoni sesi funksionojnë departamente të veçanta në institucionet më të rëndësishme në vend.
Mos harroni kurrsesi ambientin kryesor të një ekonomisti, Bankën e Shqipërisë, e cila ofron një numër të caktuar vendesh për studentët që dëshirojnë të kryejnë intershipe pranë këtij institucioni.
Punëdhënës të tjerë janë:
- Departamentet e ndryshme në institucionet shtetërore
- Ndërmarrjet e privatizuara
- Agjencitë e zhvillimit rural
- Institucionet e larta të edukimit
- Konsulencat ekonomike
- Bankat
- Firmat e sigurimeve dhe kontabilitetit
- Sindikatat
- Partitë politike
- Organizatat ndërkombëtare si: Komisioni Evropian, USAID etj
- Revista dhe gazeta financiare