fbpx
  • 8:00 AM – 18:30 PM

Puna e nje ekonomisti

Përshkrimi i profesionit

Aftësia për të organizuar punë kërkimore, për të kuptuar tregun financiar dhe parashtruar statistika ekonomike janë veçori specifike që duhet t’i posedojë një profesionist që pretendon të punësohet si ekonomist.

Ekonomistit i duhet që të përdorë teoritë dhe njohuritë ekonomike për të ofruar këshilla të specializuara. Profesionistit i duhet që të studiojë të dhënat dhe statistikat ekonomike në mënyrë që të zbulojë marrëdhëniet ekonomike dhe tendencat që kompania/organizata ka.

 

Ju duhet një Ekonomist për biznesin tuaj ?

Jemi në linjë, mos ngurroni të shkruani

Puna e nje ekonomisti Ekonomist Zyre Kontabiliteti

Si ekonomistë juve ju duhet që të organizoni punë të shpeshta kërkimore dhe nëpërmjet tyre të grumbulloni informacionin e duhur për t’i dhënë zgjidhjen problemeve të mëvonshme.
Zakonisht informacionet mblidhen për të garantuar lehtësi në realizimin e planit ekonomik, njëkohësisht edhe për të prodhuar dhe parashikuar trendet e fundit ekonomikë të kompanisë/ organizatës, të cilat e ndihmojnë ekonomistin të gjejë dhe japë rekomandimet e duhura, në mënyrë që të përmirësohet efiçienca e biznesit.

Duke përdoruar aftësitë tuaja në programet kompjuterike për analizën e statistikave, do arrini që të paraqisni gjetjet ekonomike në mënyrën e dëshiruar, me anë të të cilave do të mund të këshilloni institucionet e rëndësishme si organizatat ose agjencitë qeveritare për të marrë vendimin e duhur ekonomik.

Ju gjithashtu keni mundësinë jo vetëm të parashikoni, por edhe të këshilloni agjencitë që ofrojnë konsulenca ekonomike, kompanitë e mëdha të natyrave të ndryshme, bankat, institucionet financiare, institucionet e arsimit të lartë dhe grupet e interesuara në investim.

 

Profilizimet

  • Analist ekonomie
  • Ekonomist bujqësor
  • Ekonomist finance dhe banka
  • Ekonomist për burimet njerëzore
  • Ekonomist për menaxhim
  • Ekonomist për marketing
  • Ekonomist për pagesë papunësie (trajtimin ekonomik i të papunëve)
  • Ekonomist për politikat doganore
  • Ekonomist për politikat e çmimeve
  • Ekonomist për tatim/taksa
  • Ekonomist për tregti ndërkombëtare
  • Ekonomist për turizëm
  • Ekonomist
  • Këshilltar ekonomik
  • Ekonomist, vlerësues dëmesh në sigurime

 

Aftësitë

Juve do ju duhet që të provoni se keni:
  • Aftësi shumë të mira në zhvillimin e punës kërkimore, gjithashtu edhe aftësi në nxjerrjen e dhe analizimin e të dhënave të rëndësishme
  • Aftësi në organizmin e informacionit statistikor
  • Aftësi shumë të mira në komunikimin me shkrim dhe të folur
  • Aftësi për të ndërtuar marrëdhënie produktive me kolegët dhe për të punuar në skuadër
  • Aftësi të shkëlqyera organizative
  • Aftësi për të punuar i vetëm nën presionin e kohës
  • Saktësi dhe vëmendje ndaj detajeve
  • Aftësi për të manipuluar dhe avantazhuar detyra të ndryshme
  • Interes të vërtetë në ekonomi
  • Vetëbesim dhe motivim
  • Aftësi të mira kompjuterike
Aftësia për të folur disa gjuhë të huaja ka për të qenë detyrimisht avantazh për ju, veçanërisht për ata që synojnë ta zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit. Në përgjithësi, konkurrenca për postet në këtë profesion është e ashpër dhe kandidatët duhet të aplikojnë përgjithësisht në vjeshtë, sepse ajo është periudha kur kompanitë rekrutojnë personel.

Përgjegjësitë

Fusha juaj e kërkimit është e gjerë dhe mund të mbulojë çdo aspekt të politikës ekonomike dhe sociale, duke filluar që nga normat e interesit, taksat dhe nivelet e punësimit në energji, shëndetësi, transport dhe zhvillim ndërkombëtar.

Detyrat e një ekonomisti zakonisht përfshijnë:
  • Krijimin e metodave dhe procedurave të reja për marrjen e të dhënave
  • Kuptimin e një shumësie teknikash të marrjes së mostrave për t’u përdorur e për të sjellë tipe të ndryshme planesh ekonomikë
  • Krijimin e një sërë teknikash për modelimin ekonomik
  • Kuptimin dhe interpretimin e të dhënave
  • Analizimin e të dhënave për të provuar efiçiencën e politikave aktuale, produkteve ose shërbimeve
  • Shpjegimin e  metotologjisë së kërkimit dhe justifikimin e përfundimeve të nxjerra nga të dhënat kërkimore
  • Ofrimin e këshillave ekonomike për një sërë grupesh të interesuara
  • Vlerësimin e problemeve ekonomikë të ndodhur në të shkuarën ose në të tashmen dhe trendet e zhvillimit të tij
  • Evidentimin e një sërë raportesh teknike dhe jo-teknike për trendet ekonomike dhe parashikimet  për të informuar median dhe publikun
  • Prezantimin e një sërë informacionesh me shkrim ose me gojë përballë audiencave joekonomike, për të kuptuar nëse janë në gjendje të përceptojnë në mënyrën e duhur vendimet e marra nga kompania/organizata.
Puna në projekte specifike përfshinë:
  • Vlerësimin e ndikimit ekonomik në ngjarje kombëtare, siç mund të jenë ndeshjet sportive
  • Analizën e potencialeve për krijimin e vendeve të punës për projektet dhe investimet e brendshme
  • Analizën e efiçiencës së burimeve të pakta që organizatat e mëdha kanë
  • Analizën e performancës së kompanisë, në lidhje me këshillimin e menaxherëve të fondeve ose klientëve potenciale për investime
  • Analizën e impaktit ekonomik të zhvillimit e infrastrukturës
  • Këshillimin e qeverisë, punëdhënësve ose sindikatave për implikimet ekonomike që kanë realizuar
  • Realizmin e kërkimeve mbi ekonominë globale, për të ndikuar kështu në organizata dhe forume ndërkombëtare ekonomike
  • Studimin e ndikimit të kurseve të këmbimit në produktivitetin e Shqipërisë dhe tregtisë ndërkombëtare.

 

Kualifikimet

Përfshirja në këtë profesion është e mundur kur ju keni një diplomë në ekonomi ( Bachelor ose Master), ose një diplomë që përfshin kombinimet e mëposhtme: Ekonominë me financën Ekonominë me ligjin Ekonominë me menaxhimin Ekonominë me matematikën Ekonominë me politikën Të gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë karrierën në këtë profesion duhet që të kenë përfunduar të paktën një program studimi të njëjtë me ekonominë dhe të kenë siguruar përgatitje shumë të mirë në module të tilla si mikroekonomia dhe makroekonomia. Do të përbënte avantazh për ju nëse keni “diplomë nderi” pra keni qenë ekselentë, pasi kjo ka për t’ju lejuar hyrjen në këtë profesion për një kohë më të shkurtër, sigurisht pasi keni përfunduar praktikat dhe kualifikimet postdiplomuese. Mbajeni mend, notat tuaja mund të ndikojnë tek disa punëdhënës edhe pasi keni fituar eksperiencë, kështu që vëmendje.

 

Pritshmëritë e profesionit

Do të punoni kryesisht në zyrë dhe me një kod veshjeje të përcaktuar, (kjo lloj pune kërkon një veshje konservatore: këmishë, kostum zyrtar dhe këpucë serioze për meshkuj, ndërsa për femra kryesisht fund serioz, këpucë me pak takë dhe këmishë).

Vetëpunësimi ose puna e pavarur ndonjëherë është opsion, por vetëm pasi të keni fituar eksperiencën dhe përvojën e duhur në vite. Zakonisht kjo punë konsiston në rekomandime, kështu që para se të ndërmerrni hapin duhet të keni ndërtuar disa kontakte dhe një reputacion të mirë.

Tirana është qendra më e madhe financiare dhe ekonomike në vend dhe si e tillë të ofron mundësi të shumta në këtë fushë, por postet e ekonomistit ju vihen në dispozicion edhe në qytete të tjera të vendit.

Mundësitë për të punuar jashtë shtetit përfshijnë edhe postet në shërbimet diplomatike.

Puna mund të jetë shumë stresuese në disa periudha, pasi do ju duhet që në një afat të shkurtër të përfundoni disa projekte.

Nuk do të jenë të pakta rastet kur do ju duhet të udhëtoni jashtë vendit për të takuar klientë ose kolegë në të mirë të biznesit tuaj. Në këto udhëtime përfshihen edhe konferencat ose trajnimet brenda dhe jashtë vendit, të cilat janë shumë të zakonshme.

 

Oraret e punës

Orët e punës zakonisht janë stabël, pra nga ora 09:00 deri në 17:00, nga e hëna në të premte. Duhet ta dini që nuk përjashtohen kurrsesi as orët e zgjatura pas pune kur ngarkesa mund të jetë e madhe dhe afati për ta përfunduar është i shkurtër. Megjithatë orët jashtë orarit zyrtar paguhen më shumë, kështu që në shumicën e rasteve mund t’ia vlejë sakrifica.
Të punuarit me kohë të pjesshme, ose me orë fleksible është gjithashtu diçka e mundur, veçanërisht kur jeni duke punuar në shërbimet civile.

Sa mund të paguheni ?

Një nga profesionet më të vlerësuar jo vetëm në vend, po edhe jashtë është ai i ekonomistit. Nëse është një pozicion pune pa të cilin kompania nuk ecën dot përpara, ky është vendi i ekonomistit. Ai ka në dorë planin e biznesit, fitimet dhe humbjet e këtij të fundit, pra është përgjegjësi kryesor për ngritjen ose rrënimin e një kompanie, kështu që edhe vlerësimi monetar është relativisht i lartë.

Pagesa e një ekonomisti varion nga 55.000 lekë në muaj  për të gjithë ata që nuk janë profesionistë, po njohin hapat e parë të karrierës, e deri në 73.800 lekë në muaj për ata që janë ekspertë të fushës.

Megjithatë paga juaj varet edhe nga madhësia dhe natyra e kompanisë në të cilën punoni.

 Shifrat e të ardhurave të paraqitura më lart janë menduar vetëm si udhëzues.

Zhvillimi profesinal

Trajnimet e zhvilluara për ekonomistët janë në rritje dhe kjo ka gjithmonë e më shumë ndikim edhe tek punëdhënësit. Sa më shumë të keni qenë pjesë e trajnimeve, konferencave, aq më i madh është probabiliteti që punëdhënësi t’ju konsiderojë për vendin e punës, pasi ju sheh si një profesionist që kërkon më shumë dije dhe njohuri.

Ndërkohë nëse flasim për ekonomistët e rinj, atyre ju duhet që të zhvillojnë njohuritë e marra në auditorë duke i praktikuar në punë, të drejtuar sigurisht nga ekspertë të fushës.

Kohëve të fundit një mundësi shumë e mirë janë edhe kurset ose seminaret online, të cilat kanë të njëjtën peshë si konferencat ose trajnimet që i ndiqni në një ambient të caktuar.

Tipare të tilla si aftësia për të prezantuar ose shkrimi i raporteve ekonomikë, janë të zakonshme për disa punëdhënës kështu që fillojeni nga trajnimi i këtyre dy aftësive, mund t’ju bëjë më konfident dhe të aftë për një pozicion të caktuar pune.

Juve ju duhet të jeni gjithmonë duke studiuar mënyrat e reja të planifikimit ekonomik dhe jo vetëm, pasi kështu do të mund të mbani një kualifikim të nivelit të lartë. Të jesh një profesionist i kualifikuar nuk është e lehtë, por edhe e vështirë nuk mund të quhet. Nëse ju nuk keni pasur mundësinë që të zhvilloni trajnime më herët për arsye të ndryshme, sot shumë punëdhënës janë duke inkurajuar ekonomistët e tyre që të regjistrohen në kurse që ofrojnë diploma dhe certifikata të rëndësishme për të ardhmen e specialistit.

Ka raste kur janë vetë punëdhënësit që ju ndihmojnë në gjetjen e kurseve të tilla, madje duke ju ofruar edhe leje studimi. Në varësi të organizatës, ekonomistët zakonisht inkurajohen për t’u bërë pjesë e shoqatave të profesionistëve.

Si me të gjithë profesionistët, ekonomistët pritet që të jenë të motivuar për të vazhduar zhvillimin e tyre profesional, e për të qenë të informuar me zhvillimet më të fundit në fushën e ekonomisë.

Eksperienca e punës

Provoni që të bëheni pjesë e shoqërive të ndryshme industriale për të demonstruar interesin tuaj në ekonomi dhe njëkohësisht të krijoni kontaktet e duhura në profesion.

Përfitimi i përvojave të punës, veçanërisht në departamentet ekonomike, ka për të përmirësuar perspektivën tuaj të të punuarit, dhe mund t’ju ndihmojë të ngjisni shkallët e karrierës.

Karriera/Perspektiva

Zhvillimi i karrierës për ekonomistët varion nga organizata në organizatë, asnjëherë nuk janë dy ekonomistë me përgatitje profesionale të njëjtë, ndaj edhe ndahen me nivele, ku në nivelin e parë janë ekspertët e fushës dhe niveli i tretë ekonomistët e rinj.

Kryesisht janë ekonomistët e nivelit të parë ata që kanë më shumë përparësi për të aplikuar e për t’u bashkuar me programe të zhvillimit të shpejtë, të cilat ndihmojnë drejtpërdrejtë në avancimin e aftësive të tyre ekonomike, menaxheriale dhe komunikuese. Nëse ti je një profesionist i ri me aftësi shumë të mira mund të përfitosh nga këto programe, kështu që mos u dekurajo, e gjitha varet nga dëshira dhe vullneti i gjithsecilit. Madje edhe rritja në detyrë është e lidhur drejtpërdrejtë me aftësitë tuaja. Nëse ju e meritoni, shumë shpejt mund të kaloni në rolin e këshilltarit të ekonomisë, i cili aktualisht njihet si pozicioni më i lartë në këtë profesion.

Nga ana tjetër, ju keni mundësinë që ta zhvilloni vetë ekspertizën tuaj profesionale, rrjetin e kontakteve dhe shkathtësitë duke ndryshuar ndonjëherë sektorët në të cilët punoni, ose duke punuar i pavarur nga askush, kjo jo vetëm që hap mundësi të reja dhe shton CV-në tuaj, por gjithashtu mund të çojë në një rrugë më të larmishme dhe karrierë interesante.

Kush janë punëdhënësit

Ekonomistët mund të punësohen si në sektorin publik edhe në atë privat. Janë shumë shoqata në vend që ofrojnë mundësinë e praktikave për ekonomistët e rinj.

Ministritë gjithashtu janë të hapura për praktikantët, ndaj përfitoni prej tyre, pasi ju japin mundësinë që të punoni dhe mësoni sesi funksionojnë departamente të veçanta në institucionet më të rëndësishme në vend.

Mos harroni kurrsesi ambientin kryesor të një ekonomisti, Bankën e Shqipërisë, e cila ofron një numër të caktuar vendesh për studentët që dëshirojnë të kryejnë intershipe pranë këtij institucioni.

Punëdhënës të tjerë janë:

  • Departamentet e ndryshme në institucionet shtetërore
  • Ndërmarrjet e privatizuara
  • Agjencitë e zhvillimit rural
  • Institucionet e larta të edukimit
  • Konsulencat ekonomike
  • Bankat
  • Firmat e sigurimeve dhe kontabilitetit
  • Sindikatat
  • Partitë politike
  • Organizatat ndërkombëtare si: Komisioni Evropian, USAID etj
  • Revista dhe gazeta financiare

Views: 160