Amnistia fiskale, sa do tatohet deklarimi i parave dhe pasurive, ngrihet Njësia Speciale
Amnistia fiskale dhe penale është rikthyer edhe një herë në vëmendje pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar draftin final ku në 21 nene përcaktohet mënyra si do veprohet nga nisja e saj deri në mbylljen e procesit që parashikohet të jetë 12 muaj.
Referuar draftit bëhet e ditur se cilat do të jenë shkallët e taksimit që do të aplikohen për deklarimin e të hollave (parave), si dhe për deklarimin vullnetar përmes një formulari. Në lojë për verifikimin hyn Njësia Speciale që është një strukturë specifike që ngihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe që bën verifikimet.
Tatimi i posaçëm
Sa i takon shkallëve të tatimit neni 12 parashikon se në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban një tatim të posaçëm prej:
a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit;
c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.
Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë special, tatimi i posaçëm paguhet si vijon:
a) 5 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
b) 7 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit;
c) 10 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.
Bankat e nivelit të dytë apo institucionet financiare transferojnë të ardhurat nga pagesat e tatimit të posaçëm në kuadër të këtij ligji, në llogarinë e posaçme të thesarit të ministrisë përgjegjëse për financat.
Detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar, konsiderohen të paguara rregullisht dhe autoritetet kompetente tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara.
Deklarimi vullnetar dhe riatdhesimi i pasurive
Për të kaluar në fazën e tatimit të pasurisë individi apo subjekti duhet të kalojë së pari në procesin e deklarimit vullnetar. Sipas projektligjit janë tre nene specifike që përcaktojnë deklarimin vullnetar ku së pari deklarimin e shumave në të holla, së dyti deklarimi vullnetar i pasurive të tjera që bëhet pranë njësisë speciale së treti ri deklarimi i elementëve të veçantë të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë.
Një tjetër nen siç është ai 13 parashikon riatdhesimin e pasurive që do të thotë se shumat në të holla që ndodhen jashtë territorit shqiptar mund të riatdhesohen duke bërë pagesën e tatimit.
Një tjetër nen siç është ai 13 parashikon riatdhesimin e pasurive që do të thotë se shumat në të holla që ndodhen jashtë territorit shqiptar mund të riatdhesohen duke bërë pagesën e tatimit.
“Për riatdhesimin e pasurive sipas pikës 1, subjektet e këtij ligji personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, plotësojnë formularin për deklarimin vullnetar të pasurive sipas parashikimeve të nenit 8 të këtij ligji dhe e paraqisin këtë deklarim në autoritetet përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore, sipas legjislacionit në fuqi. Rregullat dhe mënyra e riatdhesimit të pasurive përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të riatdhesimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve” thuhet në draft.
Kush përjashtohet nga amnistia
Drafti parashikon një listë të gjatë të atyre që përjashtohen nga amnistia dhe që përfshijnë nga kabineti qeveritar aktual si dhe ata që kanë qenë në poste të rëndësishme në të kaluarën.
“Janë subjekte të përjashtuara nga zbatimi i këtij ligji:
a) subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si vijon: (a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat; (b) gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit; (c) zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të vetëqeverisjes vendore; (ç) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive;(d) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; (dh) prokurorët, gjyqtarët, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe drejtuesit e zyrave përmbarimore brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë; (e) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore; (ë) Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme; (f) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave; (g) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë; (gj) zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta; (h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj; (i) drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku; (j) administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë; (k) Anëtari i institucionit të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë), Sekretari i Përgjithshëm, këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë, si dhe personat e lidhur me to sipas ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”.
b) subjektet të cilët kanë qënë mbajtës të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
c) subjektet e ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, të ndryshuar;
ç) subjektet sipas përcaktimit të nenit 16, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, miratuar me ligjin nr.18/2020.
d) personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të ligjit nr. 157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.”
#ekonomi amnistiafiskale tatimfitimi tatimiiposatshem fiskaliteti #Bizneset taksat
Burimi: Revista Monitor https://www.monitor.al/amnistia-fiskale-sa-do-tatohet-deklarimi-i-parave-dhe-pasurive-ngrihet-njesia-speciale/
Views: 60